Poezi

Saturday, November 8, 2025

Naser XANI : Buqetë poetike



Naser XANI


 
















Çerçiz, prej gurit të Gjirokastrës

Në kalldrëmet e Gjirokastrës,
rri kujtimi yt si legjendë guri.
Pushka jote, o bir mali,
e zgjonte mëngjesin e lirisë.

Në Mashkullorë u dridh dhe qielli,
pesë trima – një flamur në zemër,
kundër një ushtrie pa shpirt e pa nder,
por ti luftove për nderin e një kombi të tërë.

Në dorë s’kishe pushtet, as fron,
vetëm një zemër që s’dinte të dorëzohej.
Në ballë të çetës shqiptare,
këndoje këngën e betimit për atdhe.

Kërkove dritë në errësirën e robërisë,
kërkove nder në një shekull plagë,
dhe e gjete — në gjakun që dhe,
për të lindur Shqipërinë që ëndërrove gjatë.

Në Shkodrën e dhembjes, të tradhtuan mizorët,
por pushka jote s’ra, ajo u kthye në këngë.
Sot emri yt, o Çerçiz,
rri pranë çdo ylli të lirisë sonë të shtrenjtë.

Prehu i qetë, trim i Gjirokastrës,
se në çdo zemër shqiptari ke vend,
në çdo brez do të përmendet me nder,
Çerçiz Topulli – flamuri që s’u dorëzue kurrë!


Ne oborrin tim në Mitrovicë

Shiqoj oborrin tim,
sa bukur zbukuruar,
i mbushur me lule,
zemra më bëhet e gëzuar.

Ndihem shumë mirë,
edhe kur jam vetëm,
këtu më pushon zemra,
më largohen dhimbjet krejt.

Në këtë truall të shenjtë,
që na la babai,
tani janë dy shtëpi,
e imja dhe e vëllait.

Këtu gjej qetësinë shpirtërore,
këtu më kthehet fryma ime,
por kur ik në gurbet,
malli më djeg e më rrëqeth.

Oborri më pret me ngrohtësi,
si nëna që hap krahët e saj,
dhe çdo gur, çdo lule aty
më flet me zërin e babait.

Në Mitrovicën time,
më shoqëron Ibri i kaltër,
valët e tij më këndojnë,
sa herë zemra më ndjen mall.

Oborri, shtëpia, lumi,
janë shpirti im i gjallë,
sa herë largohem prej tyre
më ndjekin si ëndërr e palëkundur.


Fund shtatori

Tani koha ka ndryshuar në vendlindjen time.
Një qetësi e çuditshme sikur ka mbuluar gjithë qytetin,
si të ishte futur në një gjumë të thellë.

Lokalet janë më bosh, më pak njerëz shihen rrugëve,
sepse mërgimtarët tanë tashmë janë kthyer në vendet ku jetojnë.

Ikën…
Por ata janë lulet tona,
ata që e gjallërojnë vendin,
ata që sjellin hare dhe ngrohtësi,
ata që kurrë nuk do të pushojnë së qenë gëzimi ynë.

Ikën, por jo përgjithmonë.
Shkuan të punojnë,
të lodhen e të përpiqen,
që përsëri të kthehen e të na sjellin gëzim,
si çdo herë kur hapin portat e shpirtit për vendlindjen.

Qyteti mbetet pa hijeshi pa ta,
sepse fryma e tyre është drita e shtëpive tona,
buzëqeshja e mëhallave,
kënga që zgjon rrugët e heshtura.

No comments:

Post a Comment