![]() |
| Kumrie SHALA |
MË PRITË
Çdo ndarje kushton,
Çdo kohë pa ty dhemb,
Çdo qelizë rënkon
Kur mungon përqafimi yt.
Humbëm shumë kohë pa u pa,
Ëndrrat më trazojnë çdo natë,
Që nga dita që u ndamë,
Më nuk pata fat…
Pa fjalë, pa përqafime,
Jetoj çdo ditë në kujtime,
Kur do të kthehet
Buzëqeshja jote e imja?
Të vallëzojmë mbi lule,
Në fusha e male të shëtisim,
Si zogj të vegjël të ikim,
Lule më lule nektar të thithim.
Koha pa dëshirën tonë po ik,
E ti, zemër e dlirë, në lëndinë më prit,
Tek kroi në bjeshkë, aty ku buron,
Ku zemrat tona u lidhën përgjithmonë.
KËNGA QË KURRË NUK U SHUA...
Ditët me shi janë këngët e mia,
ato s’do të mbarojnë kurrë…
se fundi i tyre do të jetë funerali im.
Pres me mall ribashkimin e viteve,
të dëgjoj sërish melodinë e zemrës sime.
Afër zjarrit, e humbur në kujtime,
shikoj flakën si vallëzon me ritmin e dashurisë.
E vera e kuqe që vrapon në damarët e mi,
si gjaku me tension të lartë.
Bashkë me zjarrin, në flakën e shumëfishtë,
rikujtoj lumturinë e përjetshme me mall.
Shpirti i trazuar, i frikësuar ndërkohë,
shëtit i vetëm, me plagë e me dhimbje,
në dhomën e errët të vetmisë…
Por kënga ime, sado që të digjet,
nuk shuhet kurrë,
se lindë çdo herë nga hiri i shpirtit tim.
QEFI QË VERBOKA
Fluturuat si zogj në krah të njëri-tjetrit,
ju krijesa pa vlera,
vallë, a do t’ju zë bashkë pranvera?
Për ju, tradhtia nuk peshon,
vapa e gushtit iku,
por juve s’ju bëhet vonë.
Dëshirat e errëta ju verbuan,
u mbështollët në një trup
si mishi me thua.
U bëtë heronj për një amanet të rremë,
“heroi i vetëshpallur” ka për t’ju nemë!
Në ëndërr do t’ju vijë:
e do t’ju mallkojnë zogjtë e mi,
kush i shpartalloi?
Se unë këtë gjë
do ta bëja kur isha i gjallë!
Por për mua s’ka pasur peshë
bashkimi kombëtar.
O ju krijesa pa vlera kombëtare,
në emër të patriotizmit po bëni pazare!
Shpejt do të pendoheni
për veprat pa vlerë,
bota s’është e verbër,
çdo gjë në dritë do të del.
Eh, qefi qenka i shtrenjtë,
këtë s’e paskam ditë!
Por juve të shkretëve
ju paskan verbuar sytë.
Si nuk po ju vjen rëndë për këtë gjest,
fëmijët e bashkëshortsinë
çdo ditë po i preni në besë.
Eh, qefi, po, ti verboke sytë!
Medet o medet!
MOS PËRDHOS EMRIN TIM
(Kushtuar Azem Shkrelit)
Sa shumë kthesa e bregore,
Fusha, male plot gjelbërim,
Mbushur plot me shtojzovalle,
Është i bukur vendi im.
Shoh qiellin plot me re,
Vallë ç’të gjeti, vendi im?
Plotë laraska shtegtojnë me klithma,
Po “vajtojnë” me pikëllim.
Ulërojnë, lëshojnë sokëllimë,
Ngrihen dolli mbi emrin tim.
Ah, sikur të ngrihesha njëherë nga varri,
Si luftëtari Konstantin,
Drejt në Shkrel të shkoj vetëtimë!
Më mbaj, o dhé, mos m’i shtrydh eshtrat,
Mos m’i lëkund, mos m’i trazo.
Emrin tim mos ma përmend!
Vallë, a lashë pas unë dikë
Që përbuz kujtimin tim?
A ka njeri në këtë dhé
Që t’i ndalë këta faqezinjë?
Ju, ku jeni, fëmijët e mi?
Pse duroni këto marrëzi?
Pse lejoni të më nënçmojnë,
Edhe të vdekur qetësinë ma prishin?
Ngrihuni pra, kundërshtoni,
Mos ta përdhosin emrin tim,
Se këto shkrepa kafshojnë përbuzjen.
O Ti, Shkreli im,
Ruaje emrin tënd,
Që është edhe emri im!

No comments:
Post a Comment