![]() |
| Maxhun OSMANAJ |
METAMORFOZË
Të mbolla në çdo stinë
Pa pyetur meteorologun çfarë thotë
Si farë e shëndoshë, e fortë
Që nuk dështon, mugullon
Prita nëpër stinë, besova
Për një vegjetacion
Vallë, mos harresa
Gëlltiti embrionin...
Sa keq, moj!
Veç një brymë e fatit
Për dreq, të vyshku
Dëshpërimi më sundoi si një skllav...
KËTO NGJYRA VJESHTE DHE KY SHI...
Këto ngjyra vjeshte si pikturë- mall
Bien lehtë, pafajësisht mbi shpirtin tim
Zhytem i humbur pranë dritares, rri pa fjalë
Çdo pikë shiu ma kthen një ngacmim.
Ky shi kthehet në një zë që nga larg më thërret
Humb në këtë mjegull, nga një kohë tretur
Pak puth tokën, pak mua më vret...
Shpalos diçka n'arkiv, çfarè më ka mbetur.
Në fund të shiut, një rreze më përkëdhel
Si kujtim i ngrohtë, përcjell vjeshtën që po shkon
Në çdo ngjyrë vjeshte, ka diçka që vjell
Si lumë i qetë, pa zhurmë koha n'mua udhëton...
NGJYRAT E VJESHTËS N'SYTË E MI
Kjo vjeshtë, n'sytë e mi po mbytet
Ah, unë s'jam piktor ta pikturoj !
Malli i një kohe, më lodron, n'mua zhytet
Tani edhe melodi zogjsh më s'dëgjoj.
Nëpër degë, gjethet e arta vallëzojnë
Era, si kujtime të vona i përkund
Dielli i lodhur me rreze diçka bisedojnë
Edhe mua nga mendimet më shkund.
Në pasqyrë shpirti, liqeni përzien ngjyra
Tingujt e mallit ndizën dhe shuhen ngadalë
Ndoshta, kjo është ajo uvertyra
Që vjeshta më flet me zë të qetë- real.
BESËLIDHJA NË SHESHIN E GJERGJIT
(Protesta gjithëkombëtare në Tiranë, kërkohet drejtësi për ish udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në HAGË)
Shqiponjat shqiptare zbresin në Tiranë,
Për t'i thënë padrejtësisë, kujdes!
Çlirimtarët e burgosur gjithçka dhanë,
Për tokën e vet, secili i gatshëm të vdesë.
Gjergji kryekomandant, me burrëri i priti,
Nga të gjitha viset shqiptare,
Besëlidhja Shqiptare një alarm e ngriti,
Nuk janë fajtorë zemrat çlirimtare.
Plaga e shqiponjave, pas një çerek shekulli gjak kullon,
Loti i nënave n'kërkim të zemrave s'është tharë,
Ku është fati i tyre, përgjigja mungon,
Në çdo mëngjes, zgjohemi me nga nja varr-ë.
Bashkë dua t'u shoh, rodhi një porosi,
Vetëm ashtu zëri ynë i drejtë jehon,
Asgjë nuk kërkojmë, vetëm DREJTËSI,
Nëse nuk mbrojmë lirinë, gjaku na mallkon!

No comments:
Post a Comment