 |
| Mehdi HYSENI |
DOLA SOT ME SHITË MEND!
Meqenëse sot nuk më zinte vendi, vend,
thashë: “Sa rri, dal e t’ shesë mend.”
Një pjesë të vogël e mbajta për veti,
të shumtat thashë: “Le t’i marrë mileti.”
Në buzë të rrugës, zura një vend,
mbi trastë shkrova: “Këtu shesim mend.”
Çdo kalimtar rasti me kureshtje shikonte,
shumica sillnin kokën e ndonjë ironizonte.
Papritmas, m’ua ofrua një plis bardh i vjetër:
“Ma drejtoi pyetjen: çfarë shkruan në letër?”
Kur i shpjegova se kam dal me shitë mend,
më tha: “Pasha axhën, s’e ke me vend!
Këtu prej mendve ne ‘jemi rrush’,
shkelim mbi to, e nuk i merr kurrkush.
Të gjithë mendojmë që mend kemi boll,
bile edhe të krisurit thonë: ‘Jem mendjehollë.’”
Me gjysmë humori kështu më tha plaku:
“Për gjithçka kemi nevojë, por për mend më s’paku!
Secilin ta pyetesh, më i mençur se shoqi,
më shumë thonë: ‘Kem mend se kokorra kallamboqi.’”
Prandaj, mblidhi mendtë e ik nga këtu,
se këndej kalon milet e në to merr n’ thua;
se, me qenë ne aq të etur për dije e mend,
nuk e kishim bërë poçavër këtë vend!
HIPOKRIZI EDHE NË VARRIM!
E shanë, e çfarë s’i thanë sa ishte gjallë,
gati sa s’u ranë dhëmbë e dhëmballë;
tani që iku nga kjo botë — e kujtojnë me mall.
I thanë i shitur-te serbi, greku, e djalli i biri,
pijanec e qejfli që shiste atdheun për një femër;
tani që iku nga kjo botë, thonë: “iku i miri”,
shtiren sikur ndjejnë dhimbje me zemër.
I përulen pranë arkivolit, të ngrysur në “mërzi”,
kinse vdekja e tij shumë i ka prekur;
edhe në arkivol i shesin hipokrizi,
njëjtë si për së gjalli — edhe tani i vdekur!
BARI DO TË HAMË, NUK DORËZOHEMI!
(Satirë)
Poshtë Amerika –
bërtet “kryetrimi”,
“ende s’e keni parë,
ky është veç fillimi!”
Rroftë stalinizmi,
poshtë demokracia
unë jam “sy-patremburi”,
pas më vjen lavdia.
Jam i pamposhtur,
s’e njoh Amerikën;
jam “superfuqi”,
kujt s’ia kam frikën.
Nuk i jap pesë pare,
s’e ndryshoj qëndrimin;
as palla nuk më hanë
për Washingtonin e Berlinin.
Nga këtu Amerikës
po i dërgoj selam:
“Ne nuk dorëzohemi,
edhe bar po të hamë!”
Kam Partinë e Zhurmës,
me Byronë Politike –
Rroftë “Pavarësia e dytë”,
poshtë ju vendet mike!
NGA POLLI DIELLA: NGA MENDJA, A NGA QELLA?
(Humoreske)
Emri Diellës ministresh në Shqipëri
erdhi pa pritur, na zuri në befasi.
Në befasi u zumë ne e u zu tërë bota,
kush e solli Diellën, pa zgjedhje, pa vota.
Shtypi botror shkroi pa fund
New York Times, Le Monde, Süddeutsche Zeitung
U ngrit opozita me sharje rrëke,
e dogj inati, që s’e pati vetë këtë ide.
Për këtë as Saliu nuk kishte dijeni,
dorën në zemër as “qytetari digjital” i tij,
sapo e kuptuan se Diella do të merret me tenderë,
në Kuvend plasi rrëmuajë, u bë gjendje e nder.
Paria në Kosovë e priti me ftohësi,
asnjë nga“të mençurit” s’kishte dijeni,
kur u pyet i “gjithëdishmi dr. Dimali"
tha: “Diella është pjellë e UÇK-së zbritur nga mali.”
Sapo në Kuvend Diella u shfaq në ekran,
u çakordis opozita, shau me babë e nanë.
Ndërsa Kryeministri me atë humorin e tij
paralajmëroi që Diella do të jetë në qeveri
u ngrit pozita e përshëndeti me duartrokitje,
e uruan Kryeministrin për këtë arritje.
Derisa Shqipëria po qeveriset me ChatGPT-i,
ne në Kosovë s’kem Kuvend as qeveri,
atje për Djellën virtuale po bëhet rrëmujë,
këtu kryetar bëhet Dimali – e s’i kërcet kurrëkuj!
ALBULENË, MOJ DALLËNDYSHE!
(Humoreske)
Në një kuvend me të pa mend,
ku s’ka rregull e ku s’ka rend,
ku kanë marrë punët në thua,
ku sa një popull vlen një grua.
Tash po bëhen plot pesë muaj,
në Kuvend po shkon rrëmujë,
deputetët vazhdojnë arenën –
jetë a vdekje për Albulenën.
Albulenë, moj lulë dramçare,
qëndro fort, mos dil prej gare;
n'qoftë nevoja, edhe fyt për fyt –
mbi krejt Kosovën është emri yt.
Albulenë, moj lule bore,
në politikë je bërë faktore
Albulenë, moj vala e drinit
je bërë digë e shtetbllokimit.
Prit me muaj e prit me vit,
duke mat’ veten çdo dy ditë;
mat e ç’mat, nuk po shto kile –
po të përdorin veç për hile.
Albulenë, moj dallëndyshe,
a i harrove gjysh e gjyshe
si nuk more mësim nga gjyshi –
a mos vallë të ka zënë mësyshi?!