Poezi

Monday, March 2, 2026

Kimete KRASNIQI : SI U TRET DASHURIA

Kimete Krasniqi













SI U TRET DASHURIA


Atëherë kur unë kam lindur,

dashuria pa fund më rrethonte,

sikur edhe natyra qeshte,

edhe hëna më bukur rrezonte.


Si çupulinë e vogël isha,

me vullnet të fortë në shpirt,

nëpër fusha me lule vrapoja,

e rritesha për çdo ditë.


E adhuroja fytyrën e babës,

që kishte rrudha plot,

më bënte e sigurt të ndihesha,

të mos trembesha nga kjo botë.


Me dëshirë i merrja afër

këshillat e nënës sime,

edhe shpirtin ma qetësonte

me ëmbëlsi kur më fliste.


Kisha vëllezër e motra plot,

që kishin zemrën e bardhë,

ngrohtësinë që më dhuronin

s’mund ta shkruaj me fjalë.


Me dashuri e respekt pa fund

na rrezonte si hënë

mbarë farefisi ynë,

i gjithë fshati anembanë.


Çdo gjë ishte shumë më bukur,

çdo gjë kishte më shumë vlerë,

të gjithë i gëzoheshim

kur dikush trokiste në derë.


E gjithë kjo afërsi e ëmbël,

si koshere me mjaltë,

na bënte të rriteshim

si me krahë të artë.


Eh, sikur të ishte e mundur

këtë kohë aty ta ndaloja,

t’i mbaja të gjithë afër,

asgjë kurrë të mos ndryshoja.


Por jo, iku shpejt ajo kohë

e asgjë s’mbeti më e njëjtë,

ne u ndamë e u larguam,

edhe dashuria u tret.

No comments:

Post a Comment