![]() |
| Iamet TAHIRAJ |
CURROJ VESHËT
Fushës së përroit ndalu,
si zagarët që veshët i currojnë,
vjen ushtimë
e gjithçka e përpin.
Ta kalosh pragun,
hiqe parmakun.
Curroj veshët —
nga kthinat vjen
sirena që s’të njeh.
Kapërce qershinë e kuqëluar,
fjalë e moçme, e paharruar.
Livadhi kositet,
gjallë i ka urishtat.
Mos bëj pauzë kritike,
se all i ngjyhen gishtat,
e merr përparësi droja:
ku po niset loja?
Vasha erdhi përtej bregut,
rruar kryet — asnjë
fije floku s’e kishte.
Vështirë ishte ta njohësh.
Curroj veshët.
Livadhi i kullotur
duan ta kullotin.
Dhitë i degdisi paq,
cjepët i la për vete.
U vuri zilka në gjoks.
Curroj veshët.
Muret flasin,
dritarët kanë gojë.
Drojën mos e fsheh,
as mos e digj në flakë.
Flatra le të marrë ndërgjegjja.
Curroj veshët,
i qetë, ama i qetë.
Fillim e fund —
njollën e bartin vetë.

No comments:
Post a Comment