![]() |
| Kimete KRASNIQI |
SI U TRET DASHURIA
Atëherë kur unë kam lindur,
dashuria pa fund më rrethonte,
sikur edhe natyra qeshte,
edhe hëna më bukur rrezonte.
Si çupulinë e vogël isha,
me vullnet të fortë në shpirt,
nëpër fusha me lule vrapoja,
e rritesha për çdo ditë.
E adhuroja fytyrën e babës,
që kishte rrudha plot,
më bënte e sigurt të ndihesha,
të mos trembesha nga kjo botë.
Me dëshirë i merrja afër
këshillat e nënës sime,
edhe shpirtin ma qetësonte
me ëmbëlsi kur më fliste.
Kisha vëllezër e motra plot,
që kishin zemrën e bardhë,
ngrohtësinë që më dhuronin
s’mund ta shkruaj me fjalë.
Me dashuri e respekt pa fund
na rrezonte si hënë
mbarë farefisi ynë,
i gjithë fshati anembanë.
Çdo gjë ishte shumë më bukur,
çdo gjë kishte më shumë vlerë,
të gjithë i gëzoheshim
kur dikush trokiste në derë.
E gjithë kjo afërsi e ëmbël,
si koshere me mjaltë,
na bënte të rriteshim
si me krahë të artë.
Eh, sikur të ishte e mundur
këtë kohë aty ta ndaloja,
t’i mbaja të gjithë afër,
asgjë kurrë të mos ndryshoja.
Por jo, iku shpejt ajo kohë
e asgjë s’mbeti më e njëjtë,
ne u ndamë e u larguam,
edhe dashuria u tret.
KU PO SHKON KJO BOTË
Të mbaja si një gur të çmuar në zemër,
isha edhe aty ku s’më thirre në emër,
si një qiri drite i ndezur në sy,
gjithmonë si një zë i thirrur nga ti.
Doja të më shihje si një dritë të bardhë,
si një fije force që të ndihmon pa fjalë.
Nuk desha as lavd, as fjalë falënderimi,
veç një dritë të zbehtë e një fije kujtimi.
Unë isha aty në kohë të vështira,
u bëra si rreze kur të mbuloi errësira,
kurrë nuk kërkova, as s’prita shpërblim,
vetëm një mirënjohje, veç një përkushtim.
Por pse vallë kështu është prishur kjo botë?
Çdo gjë që ndërton, të hidhet për tokë.
Atij që i jep dorën për t’u ngritur lart,
pa një fije turpi, ai të lë në baltë.

No comments:
Post a Comment