![]() |
| Mehmet RREMA |
PËRSHTYPJE - Mehmet RREMA
DUKE DEGJUAR RADIO VLEREN
E kisha parë shpesh logon e kësaj radioje, por, ngaqë nuk jam shumë praktik me këto punët e internetit, nuk i jepja shumë rëndësi. E quaja një reklamë të zakonshme, si shumë të tjera. Nuk doja as ta provoja, për të mos shpenzuar bytët. Duke qenë një radio, besoja se, të paktën, do të kishte nga ajo muzika tallava që, për dreq, na çan veshët sa herë dalim në rrugë, ku ose ndonjë makinë, ose shitësit e kasetave, apo ndonjë lokal, të bombardojnë me muzikë greke, sllave, turke, arabe, apo me tallava shqiptare që s’e di kujt kombi i takon.
Një mbrëmje, rastësisht, diç më shtyu ta provoj. Thashë me vete: “Të shikoj çfarë vlerash do të na shesë kjo radio.” Mendova se edhe kjo do të fliste për “standarde evropiane”, siç thonë shpesh televizionet tona në Shqipëri, ku “standardet evropiane dhe ato euroatlantike” janë bërë apoteozë e ditës.
E hapa dhe dëgjova zërin e moderatorit. Nuk e njihja dhe nuk dija kush ishte Agim Gashi. Pasi përmendi dy-tri emra dhe i përshëndeti, dha një këngë të kënduar nga i pazëvendësueshmi Qamili i Vogël. E dëgjova me shumë ëndje. Thashë me vete: “Kjo po që është këngë, kjo është vlerë! Bravo, po ku e paska gjetur!” I harrova bytët dhe vazhdova ta dëgjoj me kënaqësi.
Sapo mbaroi kënga, Kryeredaktori Agim Gashi tha:
“Tani ia kalojmë linjën koleges, mikes sonë, moderatores Lili.”
“Faleminderit, kolegu Agim!” – u përgjigj tjetra.
Një zë i ëmbël, i kthjellët dhe i vendosur.
“Tani kalojmë në poezinë e radhës,” tha. “Një poezi nga poeti që e adhuroj shumë, Bedri Dula.”
Këtë poet e kisha prej kohësh në grupin e miqve të mi të nderuar në rrjete. Poezi të bukura, që të ngazëllejnë. Thashë me vete: “Të shoh kush do ta recitojë.” Nuk e dija se recituesja do të ishte vetë kjo Lirije. Nisi të recitojë… një interpretim i bukur, që të mbërthente për ta dëgjuar e të bënte të thoshe: “Ishalla kjo poezi të jetë sa më e gjatë!”Interpretimi më çoi në vitet e largëta kur shkoja në Teatrin Kombëtar, aty ku interpretonin aktoret e mëdha: Tinka, Violeta, Margarita e të tjerë. Thashë me vete: “Ta hajë dreqi, një artiste e tillë të emigrojë, kur shumë bukur mund të interpretonte në teatrin tonë në Tiranë!” Por u mundova të qetësoja veten. Sa djem e vajza, sa artistë, sa specialistë të të gjitha fushave kanë ikur… Eh! Edhe kjo, si shumë të tjerë, me këtë zë, me këtë diksion dhe interpretim plot pasion, e ka pasur vendin e vet të merituar.Pasi mbaroi poezinë e parë, tha:
“Dhe tani, një poezi nga Haxhi Muhaxheri, Jahe Fida, Remzi Limani dhe dy të tjerë.”Interpretim i përsosur.Poezitë ishin të bukura dhe përzgjedhja tregonte se kjo nuk ishte një radio “tallava”, por një radio me vlera — Radio Vlera!Vlera e saj qëndron në përzgjedhjen e materialit dhe në seriozitetin e interpretimit.
“Shyqyr!” – thashë me vete. “Nuk kemi më Radio Tiranën që të na përcjellë vlerat e vërteta kombëtare, por kur vlerat ekzistojnë, ato dalin diku. Ashtu si lulja që çan dëborën, edhe vlerat dalin në dritë. Dhe ja, doli Radio Vlera!”
Nuk janë VIP-at që dalin nëpër televizione e tregojnë historitë e tyre të sukseseve, por është një zonjë e thjeshtë, me dialekt shkodran, që kur interpreton përdor shqipen e njësuar, qartë e bukur.
Linjën e mori përsëri Agimi. Nuk dija ku ishte kjo radio, por mënyra si e kishin organizuar programin më pëlqeu. E ndoqa deri në fund. Ishte vërtet një program që përhapte vlera. Në fund njoftuan mbylljen dhe lanë takim me dëgjuesit të premten në orën...
E prita të premten me padurim. Doja ta ndiqja që nga fillimi këtë program të bukur, me këta drejtues dhe interpretues të përkryer. Ashtu bëra. E premtja erdhi dhe unë u vendosa të dëgjoj radion. Radio Vlera – radio që përhap vlera!
Kërkova të mësoj ku ndodhet kjo radio, pasi emrat e drejtuesve, Agim Gashi e Lirije Bimi, i mësova nga interpretimet. Nuk ngurrova dhe ua kërkova miqësinë në Facebook, vetëm për mënyrën e bukur të drejtimit dhe interpretimit të programit. U bëra mik virtual me këta dy drejtues. Mësova se radioja ndodhet në Saint-Louis, Alsace, Francë, me Kryeredaktor Agim Gashin.
Që atëherë, vazhdoj të ndjek me shumë dëshirë emisionet e Radio Vlerës. Më pëlqen jashtëzakonisht interpretimi i aktores së talentuar Lirije Bimi: një zë timbues, me diksion të pastër e interpretim me pasion. Ajo zgjedh e promovon poezi nga shumë poetë, duke përzgjedhur më të bukurat, dhe për dy orë rresht, bashkë me moderatorin Agim Gashi, përhapin përmes valëve të radios pjesë nga kultura jonë kombëtare. Mësova gjithashtu se edhe Kryeredaktori Agim Gashi është poet.
Jam i bindur se dëgjuesit shtohen çdo ditë. Mjafton ta dëgjosh një herë zërin e aktores Lirije Bimi dhe ke për ta ndjekur gjithmonë, edhe nëse nuk je poet apo nuk ke poezi për t’u interpretuar.
Më pas, përmes Facebook-ut, mësova se Lirija është edhe poete. Kam lexuar shumë poezi të saj, të cilat ajo rrallë i publikon. Me shumë modesti thotë se “ndoshta nuk janë të bukura”, them ndërsa unë them të kundërtën – janë shumë të bukura!
Poetja dhe interpretuesja Lirije Bimi, edhe pse për dy orë çdo të premte nuk lodhet duke interpretuar me pasion poezitë e të tjerëve, poezi të saj pothuajse nuk reciton kurrë. Kjo tregon se ajo është një zonjë modeste dhe e talentuar.
Së fundi, ka filluar me pasionin e saj të realizojë video me poezi nga autorë të ndryshëm. I bën shumë të bukura – me qetësi, ndjenjë e frymëzim, duke bërë që poezitë tona të duken sikur një dorë e padukshme i ka zbukuruar. Ajo u jep vargjeve shpirt, frymë e ndjesi.
Në punën e saj si moderatore dhe interpretuese, ka fituar përvojë të gjatë, duke punuar në radio të ndryshme si Zëri i Arbërit, Radio Lyra, dhe së fundi, në Radio Vlera.


